Operacioni i Syrit me Lazer (Kirurgjia Refraktive) në Tiranë
Operacioni i syrit me lazer (heqja e syzeve me lazer) korrigjon miopinë, hipermetropinë dhe astigmatizmin, me synimin për të reduktuar varësinë nga syzet ose lentet e kontaktit. Në Indian Eye Institute and Laser Center në Tiranë, nën kujdesin e Dr. Nishant Taneja, metoda — SMILE Pro, Femto-LASIK ose PRK — përzgjidhet pas ekzaminimit të plotë të syve.
A shërohet astigmatizmi? Astigmatizmi nuk zhduket me pika apo ushtrime: korrigjohet me syze ose lente kontakti. Për ta korrigjuar në mënyrë të qëndrueshme përdoret operacioni me lazer (me Femto-LASIK deri në ±6.00 D), ose, për numra më të lartë, lentet ICL (deri në 6.00 D). Metoda zgjidhet pas ekzaminimit të plotë të syve.
Çfarë është Operacioni i Syrit me Lazer (Kirurgjia Refraktive)?
Operacioni i syrit me lazer, i quajtur edhe kirurgji refraktive, përfshin procedura që riformojnë kornenë, pjesën e përparme të tejdukshme të syrit, në mënyrë që drita të përqendrohet më saktë në retinë. Qëllimi është korrigjimi ose reduktimi i dioptrisë dhe përmirësimi i shikimit pa ndihmën e vazhdueshme të syzeve ose lenteve të kontaktit.
Miopia shkakton shikim të turbullt në distancë, sepse imazhi fokusohet përpara retinës. Hipermetropia mund të shkaktojë vështirësi në shikimin nga afër dhe, sipas dioptrisë, edhe në distancë, sepse imazhi fokusohet pas retinës. Astigmatizmi shkaktohet nga lakimi i parregullt i kornesë dhe mund t’i bëjë objektet të duken të turbullta, të shtrembëruara ose me hije.
Metoda më e përshtatshme përcaktohet nga mosha, dioptria, trashësia dhe forma e kornesë, filmi lotsjellës, madhësia e bebëzës dhe mënyra e jetesës. Ekzaminimi i plotë është i domosdoshëm përpara çdo rekomandimi kirurgjikal.
INFORMACION I SHKURTËR PËR KIRURGJINË REFRAKTIVE ME LAZER
Kohëzgjatja:
Rikuperimi:
Anestezia:
Përvoja klinike:
GALERIA E FOTOVE
Momente me Pacientët Tanë
Cilat janë shenjat e gabimeve refraktive?
Gabimet refraktive mund të ndikojnë në shikimin nga afër, në distancë ose në të dyja. Shenjat më të zakonshme përfshijnë:
Shikim i turbullt në distancë
Vështirësi në shikimin nga afër
Objekte të shtrembëruara ose me hije
Lodhje e syve
Dhimbje koke
Vështirësi me shikimin gjatë natës
Metodat e Kirurgjisë Refraktive me Lazer
Metoda më e përshtatshme varet nga dioptria, forma dhe trashësia e kornesë, shëndeti i sipërfaqes së syrit dhe aktivitetet e pacientit. Dr. Nishant Taneja vlerëson individualisht çdo rast përpara rekomandimit.
SMILE Pro
SMILE Pro është një teknikë moderne, pa krijimin e një kapaku korneal (flap). Lazeri femtosekond krijon një lentikulë shumë të hollë brenda kornesë, e cila hiqet përmes një prerjeje prej disa milimetrash. Heqja e lentikulës ndryshon formën e kornesë dhe korrigjon gabimin refraktiv.
Procedura kryhet me një sistem të vetëm lazeri femtosekond dhe ekspozimi aktual ndaj lazerit zgjat vetëm disa sekonda. Prerja e vogël ruan një pjesë më të madhe të sipërfaqes dhe nervave të kornesë, gjë që mund të reduktojë shqetësimet e syrit të thatë dhe të mbështesë rikuperimin e shpejtë.
Femto-LASIK
Femto-LASIK është një procedurë LASIK pa përdorimin e një tehu mekanik. Lazeri femtosekond krijon një kapak (flap) të hollë dhe të kontrolluar në korne. Kapaku ngrihet përkohësisht dhe lazeri excimer riformon indin poshtë tij sipas dioptrisë së pacientit.
Pas korrigjimit, kapaku ripozicionohet dhe shërohet pa qepje. Femto-LASIK mundëson planifikim të personalizuar dhe zakonisht shoqërohet me përmirësim të shpejtë të shikimit.
Metoda PRK
Metoda PRK është një procedurë sipërfaqësore që nuk krijon kapak korneal. Shtresa e jashtme e rigjenerueshme e kornesë hiqet dhe më pas lazeri excimer riformon sipërfaqen e saj.
PRK mund të rekomandohet për pacientë të përzgjedhur me korne më të hollë, parregullsi të lehta korneale ose mënyrë jetese me rrezik më të lartë për goditje në sy. Rikuperimi është më i ngadaltë se pas SMILE Pro ose Femto-LASIK dhe mund të ketë parehati gjatë shërimit të sipërfaqes së kornesë.
Për pacientët që nuk janë kandidatë të përshtatshëm për trajtim me lazer për shkak të dioptrisë së lartë, kornesë së hollë ose formës së parregullt të saj, mund të vlerësohet implantimi i lenteve fakike intraokulare. Zgjidhja rekomandohet vetëm pas ekzaminimit të plotë.
Asnjë procedurë nuk është plotësisht pa rrezik. Në javët e para shumica e pacientëve kanë sy të thatë dhe shikim që luhatet gjatë ditës; këto zakonisht qetësohen brenda rreth një muaji, por jo gjithmonë. Mund të shfaqen vezullime, rrathë rreth dritave ose vështirësi në dritë të dobët, sidomos natën. Korrigjimi mund të dalë pak më i vogël ose më i madh se sa duhej; kjo shpesh përmirësohet me syze, lente kontakti ose një ndërhyrje plotësuese me lazer. Komplikimet serioze, si infeksioni ose shikimi më i keq se para operacionit, janë të rralla dhe diskutohen individualisht përpara trajtimit.
Përfitimet e Kirurgjisë Refraktive me Lazer
Kirurgjia refraktive synon të korrigjojë fokusimin e dritës dhe të reduktojë varësinë nga syzet ose lentet e kontaktit. Rezultatet varen nga dioptria, metoda e përzgjedhur dhe karakteristikat individuale të syrit.
Sipas Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë (AAO), rreth 9 në 10 njerëz që bëjnë LASIK arrijnë shikim midis 20/20 dhe 20/40 pa syze ose lente kontakti. Rezultati individual varet nga dioptria dhe gjendja e syrit.
Më pak varësi nga syzet
Procedurë e shpejtë
Korrigjim i personalizuar
Rikthim i shpejtë në përditshmëri
Përzgjedhje ndërmjet disa metodave
Zgjidhje të Personalizuara për Korrigjimin e Shikimit
SMILE Pro
SMILE Pro është një procedurë minimalisht invazive, pa kapak korneal dhe pa përdorimin e tehut. Një lentikulë e hollë krijohet brenda kornesë dhe hiqet përmes një prerjeje të vogël.
- Procedurë pa krijimin e kapakut korneal
- Prerje të vogël prej disa milimetrash
- Ruajtje më të madhe të sipërfaqes së kornesë
- Rikuperim relativisht të shpejtë
Femto-LASIK
Femto-LASIK përdor lazerin femtosekond për krijimin e një kapaku të hollë korneal dhe lazerin excimer për korrigjimin e dioptrisë.
- Krijim të kapakut pa nevojën e një tehu kirurgjikal
- Trashësi dhe formë të kontrolluar të kapakut
- Trajtim të personalizuar me lazer excimer
- Përmirësim të shpejtë të shikimit
Metoda PRK
Metoda PRK e riformon kornenë nga sipërfaqja, pa krijuar kapak. Epiteli rigjenerohet gradualisht pas procedurës.
- Pacientë të përzgjedhur me korne më të hollë
- Parregullsi të lehta të sipërfaqes së kornesë
- Persona me rrezik më të lartë për goditje në sy
- Pacientë që pranojnë një rikuperim më gradual
Çfarë të prisni
01. Ekzaminimi i Plotë i Syve
Ekzaminimi përfshin matjen e dioptrisë dhe mprehtësisë së shikimit, topografinë dhe trashësinë e kornesë, aberrometrinë, madhësinë e bebëzës, presionin intraokular dhe vlerësimin e filmit lotsjellës.
Bebëzat zgjerohen për matjen objektive të dioptrisë dhe ekzaminimin e nervit optik, makulës dhe periferisë së retinës. Syri duhet të jetë i shëndetshëm dhe çdo problem tjetër duhet të trajtohet ose kontrollohet përpara kirurgjisë.
Ekzaminimi zakonisht zgjat rreth 90–120 minuta. Lentet e kontaktit duhet të ndërpriten përpara vizitës sipas periudhës së përcaktuar nga klinika, sepse mund të ndryshojnë përkohësisht formën e kornesë dhe të ndikojnë në saktësinë e matjeve.
Për shkak të zgjerimit të bebëzave, shikimi mund të jetë përkohësisht i turbullt dhe pacienti nuk duhet ta drejtojë vetë makinën pas ekzaminimit.
02. Procedura
Kirurgjia refraktive kryhet në kushte ambulatore, me anestezi lokale në formën e pikave oftalmike. Syri mbahet i hapur me një mbajtëse të posaçme dhe pacienti qëndron zgjuar gjatë gjithë procedurës.
Tek SMILE Pro, lazeri femtosekond krijon një lentikulë brenda kornesë, e cila hiqet përmes një prerjeje të vogël. Tek Femto-LASIK krijohet një kapak korneal me lazer femtosekond dhe kornea riformohet me lazer excimer. Tek PRK hiqet epiteli dhe lazeri excimer vepron në sipërfaqen e kornesë.
Sistemet e gjurmimit monitorojnë pozicionin dhe mikrolëvizjet e syrit gjatë trajtimit. Procedura zakonisht zgjat rreth 5–10 minuta për secilin sy.
Pas një kontrolli të shkurtër, pacienti mund të largohet nga klinika. Duhet të organizohet transporti për në shtëpi dhe të pushohen sytë gjatë pjesës tjetër të ditës.
03. Rikuperimi dhe Kontrollet
Rikuperimi varet nga metoda e përzgjedhur. Pas SMILE Pro ose Femto-LASIK, shikimi zakonisht fillon të qartësohet shpejt dhe shumë pacientë u rikthehen aktiviteteve të zakonshme brenda 1–3 ditësh. Pas PRK-së, sipërfaqja e kornesë zakonisht shërohet brenda 4–7 ditësh, ndërsa stabilizimi i shikimit kërkon më shumë kohë.
Gjatë ditëve të para mund të shfaqen lotim, ndjeshmëri ndaj dritës, ndjesi gërvishtjeje, turbullim ose luhatje të shikimit. Pas PRK-së vendoset një lente kontakti mbrojtëse derisa epiteli të shërohet.
Pikat oftalmike me antibiotik dhe anti-inflamator, si dhe lotët artificialë, duhet të përdoren sipas programit të klinikës. Pacienti duhet të shmangë fërkimin e syve, ujin e rubinetit, pluhurin, grimin dhe aktivitetet e rënda gjatë periudhës së rekomanduar.
Noti, sportet e kontaktit dhe ngritja e peshave duhet të rifillojnë vetëm pas miratimit të mjekut. Dhimbja që përkeqësohet, skuqja e fortë, sekrecionet ose ulja e papritur e shikimit kërkojnë kontakt urgjent me klinikën.
Diagnostikimi dhe Teknologjia
Topografia e Kornesë
Topografët OCULUS Pentacam HR dhe CSO krijojnë harta të detajuara të sipërfaqes së përparme dhe të pasme të kornesë. Matjet tregojnë lakimin, trashësinë dhe parregullsitë e mundshme që mund të ndikojnë në përshtatshmërinë për kirurgjinë me lazer.
Pacienti ulet përpara pajisjes dhe mbështet mjekrën dhe ballin, ndërsa imazhet regjistrohen automatikisht. Ekzaminimi është pa dhimbje dhe rezultatet përftohen menjëherë.
Aberometria
Pajisjet Tracey iTrace dhe CSO IRX analizojnë dioptrinë dhe devijimet optike të rendit më të lartë. Këto matje ndihmojnë në vlerësimin e cilësisë së shikimit dhe në planifikimin e trajtimeve të personalizuara.
Ekzaminimi zgjat vetëm pak sekonda, nuk prek syrin dhe rezultatet paraqiten në formë dixhitale.
Pupilometria
Pupilometri mat madhësinë e bebëzës në nivele të ndryshme ndriçimi. Diametri i bebëzës gjatë natës merret parasysh gjatë përcaktimit të zonës së trajtimit, për të reduktuar mundësinë e vezullimit dhe rrathëve rreth dritave.
Teknologjia SMILE Pro
SMILE Pro përdor një lazer femtosekond për të krijuar lentikulën dhe prerjen e vogël brenda së njëjtës procedurë. Në korrigjime të përzgjedhura, ekspozimi aktual ndaj lazerit mund të zgjasë më pak se 10 sekonda.
Teknologjia kontrollohet nga kompjuteri dhe ndihmon në pozicionimin dhe planifikimin e trajtimit sipas matjeve të secilit sy.
Lazerët Femtosekond dhe Excimer
Lazeri femtosekond përdoret për krijimin e kontrolluar të kapakut gjatë Femto-LASIK, ndërsa lazeri excimer riformon kornenë sipas dioptrisë së pacientit.
Sistemet moderne përfshijnë gjurmimin e syrit, kontrollin e pozicionimit dhe programe të personalizuara trajtimi. Këto funksione ndihmojnë në dërgimin e energjisë së lazerit në zonën e planifikuar, edhe gjatë mikrolëvizjeve të syrit.
Alternativa për Pacientët që Nuk Janë Kandidatë për Lazer
Pacientët me dioptri shumë të lartë, korne të hollë ose formë të parregullt të kornesë mund të mos jenë kandidatë të përshtatshëm për SMILE Pro, Femto-LASIK ose PRK. Në këto raste mund të vlerësohet implantimi i lenteve fakike intraokulare, të cilat vendosen brenda syrit pa hequr thjerrëzën natyrale. Lazeri i syzeve nuk e heq perden e syrit (kataraktin); këtë e shpjegojmë te a hiqet perdja e syrit me lazer.
Implantable Collamer Lens – ICL
Lentja ICL vendoset pas irisit dhe përpara thjerrëzës natyrale. Ajo është e padukshme, zakonisht nuk ndihet nga pacienti dhe përbëhet nga material biokompatibël me veti antireflektuese dhe mbrojtje ndaj rrezeve UV.
Në varësi të modelit dhe matjeve të syrit, ICL mund të korrigjojë miopinë nga −0.50 D deri në −18.00 D, hipermetropinë nga +0.50 D deri në +8.00 D dhe astigmatizmin deri në 6.00 D. Mund të jetë e përshtatshme edhe për pacientët me korne të hollë ose të papërshtatshme për trajtim me lazer.
Lentet Artisan dhe Artiflex
Lentet Artisan dhe Artiflex vendosen përpara bebëzës dhe fiksohen në iris. Ato mund të rekomandohen kur dioptria është jashtë gamës së ICL-së ose kur struktura e syrit nuk lejon vendosjen e sigurt të lentes pas irisit. Këto lente korrigjojnë dioptritë e larta dhe astigmatizmin, duke ruajtur thjerrëzën natyrale dhe aftësinë e syrit për të ndryshuar fokusin.
Procedura dhe Përzgjedhja
Lentet fakike implantohen përmes një prerjeje të vogël, e cila zakonisht nuk kërkon qepje. Lentja mund të hiqet ose të zëvendësohet nëse dioptria ndryshon ose nëse kjo nevojitet për arsye mjekësore.
Përpara ndërhyrjes maten dioptria, thellësia e dhomës së përparme, presioni intraokular dhe qelizat endoteliale të kornesë, si dhe ekzaminohet retina. Këto të dhëna përcaktojnë nëse pacienti është i përshtatshëm për ICL, Artisan apo Artiflex.
SMILE Pro, Femto-LASIK apo PRK? Krahasimi i Metodave
| SMILE Pro | Femto-LASIK | PRK | |
|---|---|---|---|
| Si punon | Lazeri femtosekond krijon një lentikulë brenda kornesë, që hiqet përmes një prerjeje të vogël | Lazeri femtosekond krijon një kapak (flap), lazeri excimer riformon kornenë poshtë tij | Hiqet shtresa sipërfaqësore e kornesë dhe lazeri excimer riformon sipërfaqen |
| Kapak (flap) | Jo | Po | Jo |
| Prerja | Disa milimetra | Kapak i hollë korneal | Pa prerje; epiteli rigjenerohet |
| Rikthimi në aktivitetet e zakonshme | Zakonisht 1–3 ditë | Zakonisht 1–3 ditë | Sipërfaqja shërohet brenda 4–7 ditësh; shikimi stabilizohet më ngadalë |
| Mund të preferohet | Kur kërkohet procedurë pa kapak dhe me prerje të vogël | Për korrigjim të personalizuar me rikuperim të shpejtë | Korne më e hollë, parregullsi të lehta, rrezik më i lartë goditjesh në sy |
Metoda përfundimtare zgjidhet nga Dr. Taneja pas matjeve të kornesë dhe ekzaminimit të plotë. Krahasimin hap pas hapi të dy metodave më të kërkuara e gjeni te ndryshimi mes SMILE Pro dhe Femto-LASIK.
Kush është Kandidat për Operacionin e Syrit me Lazer?
Operacioni me lazer zakonisht është i përshtatshëm kur:
- jeni mbi 18 vjeç (më mirë mbi 21, kur numri i syzeve zakonisht nuk ndryshon më);
- numri i syzeve ose i lenteve nuk ka ndryshuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit;
- kornea është mjaft e trashë dhe e shëndetshme dhe sytë janë në përgjithësi të shëndetshëm;
- keni pritshmëri realiste për atë që lazeri mund dhe nuk mund të bëjë.
Zakonisht nuk rekomandohet, ose kërkon vlerësim të posaçëm, në rast shtatzënie ose gjidhënieje, keratokoni, sy shumë të thatë, korne të hollë ose me plagë, diabet të pakontrolluar, sëmundje autoimune, glaukomë të avancuar ose katarakt që ndikon në shikim. Sportet me goditje të shpeshta në fytyrë diskutohen para zgjedhjes së metodës. Kur lazeri nuk është i përshtatshëm, mund të vlerësohen lentet fakike (ICL, Artisan/Artiflex).
Sa kushton operacioni i syrit me lazer?
Çmimi varet nga metoda (SMILE Pro, Femto-LASIK ose PRK), nga trajtimi i njërit ose i të dy syve dhe nga ekzaminimet para operacionit dhe kontrollet pas tij. Çmimi i saktë jepet pas ekzaminimit të plotë, kur dihet cila metodë është e përshtatshme për syrin tuaj.
Klinika Indiane e Syrit Tiranë: +15 Vite Besim
Retinë | Katarakt | Kirurgji Refraktive
Kujdesi i duhur për një jetë me shikim të qartë
Çdo trajtim i suksesshëm fillon me një diagnozë të saktë dhe një plan kujdesi të personalizuar. Zbuloni historitë reale të pacientëve që i besojnë Indian Eye Institute and Laser Center.
Video Edukuese për Pacientët
Të gjitha videot për pacientëtShkarkoni Udhëzuesit Falas për Pacientët
Pyetjet më të Shpeshta
Kandidatët për LASIK duhet të jenë mbi 18 vjeç, të kenë dioptri të qëndrueshme për të paktën një vit dhe korne të shëndetshme. Trajtimi mund të korrigjojë dioptri nga −10.00 D deri në +6.00 D dhe astigmatizëm deri në ±6.00 D. Përshtatshmëria përfundimtare përcaktohet pas një ekzaminimi të plotë të syve.
Nuk ekziston një metodë e përshtatshme për çdo pacient. SMILE Pro mund të preferohet kur kërkohet një procedurë pa kapak dhe me prerje të vogël, Femto-LASIK për korrigjim të personalizuar me rikuperim të shpejtë, ndërsa PRK për raste të përzgjedhura ku trajtimi sipërfaqësor është më i përshtatshëm. Dr. Taneja e zgjedh metodën pas analizimit të të gjitha matjeve.
Gjatë procedurës përdoren pika anestezike dhe shumica e pacientëve ndiejnë vetëm presion ose prekje të lehtë. Pas SMILE Pro ose Femto-LASIK mund të ketë acarim për disa orë. Pas PRK-së, parehatia mund të jetë më e theksuar gjatë ditëve të para ndërsa sipërfaqja e kornesë shërohet.
Kirurgjia refraktive mund ta reduktojë ndjeshëm varësinë nga syzet ose lentet e kontaktit, por pavarësia e plotë nuk mund të garantohet për çdo pacient. Dioptria mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe presbiopia mund të krijojë nevojë për syze leximi pas moshës 40 vjeç. Rezultatet dhe kufizimet individuale shpjegohen përpara trajtimit.
Procedura zakonisht zgjat rreth 5–10 minuta për secilin sy dhe kryhet në kushte ambulatore, me pika anestezike. Pacienti largohet nga klinika pas një kontrolli të shkurtër dhe duhet të organizojë transportin për në shtëpi.
Pas SMILE Pro ose Femto-LASIK, shumë pacientë u rikthehen aktiviteteve të zakonshme brenda 1–3 ditësh. Pas PRK-së, sipërfaqja e kornesë zakonisht shërohet brenda 4–7 ditësh, ndërsa stabilizimi i shikimit kërkon më shumë kohë.
Lazeri korrigjon miopinë, hipermetropinë dhe astigmatizmin, por nuk e ndalon presbiopinë, lodhjen e shikimit nga afër që zakonisht nis pas moshës 40. Pas kësaj moshe Dr. Taneja vlerëson nëse lazeri është zgjidhja e duhur, apo nëse janë më të përshtatshme zgjidhjet me lente për korrigjimin e presbiopisë.
Burimet
Faktet e përgjithshme mjekësore në këtë faqe bazohen në:
Hidhni Hapin e Parë Drejt një Shikimi më të Mirë.
Plotësoni formularin më poshtë dhe ekipi ynë do t’ju kontaktojë
për të planifikuar një konsultë dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja.
